.
Published On: Sun, Feb 25th, 2018

Nxënësit e klasëve të para mësojnë anglisht pa libra

Share This
Tags

Shkollat e Gjakovës, ashtu si ato në tërë Kosovën, janë duke zbatuar kurrikulën e re mësimore, porse libra për lëndën e anglishtes nuk kanë nxënësit e klasave të para, ku ajo është futur si lëndë obligative.

Me këtë vështirësi përballen nxënës e mësimdhënësit në shkollën “Zekeria Rexha”. Drejtori i këtij institucioni arsimor, Pleurat Rudi, tha se këto vështirësi po kalohen falë vullnetit të vet mësimdhënësve të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin po mundohen të hartojnë literaturë të përshtatshme.

“Nuk kemi libra, por mësimdhënësit në bashkëpunim me njëri-tjetrin po hartojnë materiale përmes fotokopjeve të ndryshme në mënyrë që mësimi të vijoi normalisht dhe nxënësit të kenë çfarë të mësojnë”, u shpreh Rudi.

Pajisja me libra për nxënës është kompetencë e Ministrisë së Arsimit dhe në lidhje me këtë problematikë, MASHT ka thënë se mungesa e librave në një lëndë nuk është ndonjë problem i madh.

Sipas tyre, mësimdhënësit mund të mbajnë mësim edhe pa to, vetëm duhet të shohin se çfarë u kërkon kurrikula.

Ndryshime të tjera rreth gjuhëve të huaja janë bërë edhe në klasat e gjashta ku është futur si lëndë obligative gjuha gjermane krahas asaj angleze, por fondi i kësaj të fundit është zvogëluar nga tri orë në javë, në dy orë në javë, meqë ora e tretë e gjuhëve të huaja tashmë i dedikohet gjuhës gjermane.

Drejtori i shkollës “Zekeria Rexha”, Pleurat Rudi tha se për orët e gjuhës angleze, tashmë ka një planifikim të ri për dy orë në javë.

“Është e vërtetë që në fushën e gjuhëve dhe komunikimit kemi një lëndë të re që është gjuha gjermane duke i marrë një orë në javë gjuhës angleze. Tashmë nxënësit e klasave të gjashta kanë dy orë në javë anglisht, por paralelisht me këto ndryshime mësimdhënësit kanë pranuar planin e ri mësimor se si të organizojnë lëndë gjatë tërë vitit shkollor me më pak orë se viteve të kaluara”, deklaroi Rudi.

Sa i përket gjuhës gjermane, Rudi, tha se ka literaturë për këtë lëndë, por gjithashtu mësimdhënësit po përpiqen që orët e kësaj lënde t’i bëjnë sa më atraktive për nxënësit meqë është lëndë risi për ta./radiogjakova/