Nxënësit e “Mazllum Këpuskës” bëhen shembull
Gjakovë- Nxënësit e shkollës “Mazllum Këpuska” në Gjakovë kanë grumbulluar një sasi të konsiderueshme të ushqimeve dhe veshmbathjeve, të cilat i kanë dërguar në Kryqin e Kuq të Gjakovës.
Këtë veprim human ata e kanë bërë në kuadër të muajit të solidaritetit, muaj i cili siç dihet tashmë do të vazhdojë përgjatë tërë nëntorit, por edhe në kuadër të shënimit të 20 Nëntorit, ditës universale të fëmijëve.
Gjatë dorëzimit të këtyre ndihmave, shumë nga nxënësit u deklaruan të lumtur me veprimin që po e ndërmerrnin, ndërsa premtuan se edhe në të ardhmen do të grumbullojnë ndihma, në mënyrë që t’i ndihmojnë ata që janë në kushte më të rënda ekonomike dhe kanë nevojë për këto ndihma.
E për këtë veprim, nxënësit janë falënderuar edhe nga sekretarja e Kryqit të Kuq Dushe Lama, e cila duke i informuar ata për punën e Kryqit të Kuq dhe situatën aktuale me numrin e madh të nevojtarëve, ka inkurajuar fëmijët që të jenë më solidar dhe të mendojnë edhe për ata që nuk kanë./radiogjakova/










