.
Published On: Fri, Feb 16th, 2018

Nxënësit gjakovarë hapin ekspozitë të përbashkët

Share This
Tags

Nxënësit e shkollave të komunës së Gjakovës, të premten në foajenë e pallatit të kulturës “Asim Vokshi” hapën ekspozitën e tyre të përbashkët për nder të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Krijimet e tyre që si temë kishin historikun e pavarësisë u ekspozuan edhe falë ndihmës së pedagogëve të artit figurativ të cilët kishin mbikëqyrur punën e nxënësve.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari Ardian Gjini që uroi nxënësit për punën e tyre. Ai gjithashtu iu kujtoi nxënësve se 17 Shkurti është një datë kur duhet të gëzojmë duke mos harruar ata që dhanë jetën për këtë ditë.

“Po vjen dita kur ju do të festoni sipas mënyrës tuaj, por mos harroni që kjo është datë kur duhet të gëzoni. Asnjëherë nuk do t’i harrojmë ata që dhanë jetën për këtë ditë, por kjo mbetet një festë kur duhet të rinjtë e fëmijët duhet të jenë të gëzuar”, tha Gjini.

Kjo ekspozitë u hap me organizim të Drejtorisë së Arsimit dhe asaj për Kulturë.

Drejtori i Arsimit, Bernard Frrokaj përgëzoi nxënësit për krijimet e tyre, ndërsa premtoi se të tilla aktivitete do të mbështeten edhe në të ardhmen.

“Ju po e madhështoni këtë festë me krijimet tuaja që janë shumë të bukura. Unë e di që ju do të bëni punime akoma më të mira dhe ne do t’ju mbështesim që t’i ekspozoni edhe ato”, u shpreh Frrokaj.

Në fund, Drejtoria për Kulturë ndau mirënjohje për pedagogë të artit figurativ të shkollave të Gjakovës për punën e tyre të palodhshme me fëmijët dhe ndihmën e tyre në realizimin e kësaj ekspozite.

Mirënjohje u ndanë për pedagogët: Almir Meqa, Ahmet Doli, Petrit Grezda, Nazmi Krasniqi, Armend Zeqa, Alban Meka, Zarie Popaj, Butrint Emra, Kushtrim Bajraktari, Aulona Rexha, Burbuqe Nelrexhepi, Korab Kusari, Halil Ahmeti, Violeta Hoxha, Qamil Meta, Flutur Kumnova, Fiduli Axhemi dhe Merita Morina./radiogjakova/