Nxënësit mësohen si të mbrohen nga fatkeqësitë natyrore
Me qëllim të reagimit të shpejtë dhe efikas gjatë fatkeqësive të ndryshme natyrore, Kryqi i Kuq i Kosovës, dega në Gjakovë, në bashkëpunim me organizatën “Save dhe Children”, të martën organizoi dy ushtrime në të cilat është prezantuar mënyra më e mire e reagimit dhe masat të cilat duhet të ndërmerren gjatë tërmeteve.
Fillimisht në mjediset e Shkollës Fillore “Zekeria Rexha” e më pastaj në kopështin e fëmije në “Orize” është improvizuar një termet, me ç’rast është demonstruar në praktik mënyra e sjelljes dhe reagimit për të shmangur më të keqën, humbjen e jetës së njeriut.
Pjesëmarrës në këtë demonstrim kanë qenë përfaqësues të Policisë së Kosovës në Gjakovë, të Brigadës së Zjarrfikësve, pastaj stafi përkatës i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, të Drejtorisë së Emergjencave në Kuvendin e Komunës së Gjakovës, të Drejtorisë së Arsimit e të tjerë.
Sipas sekretares së degës së Kryqit të Kuq të Kosovës në Gjakovë, Fllanza Bakija-Lama, nisur nga rëndësia që kanë reagimet e domosdoshme në raste të fatkeqësive të ndryshme, ushtrime të tilla do të organizohen edhe në të ardhmen./radiogjakova/