Panair për promovimin e Malësisë dhe Gjakovës
Komuna e Gjakovës më 12 dhe 13 qershor do të organizojë për herë të parë panairin “Malësia e Gjakovës”.
Qëllimi i këtij manifestimi është që të promovojë turizmin, vlerat e trashëgimisë kulturore, diversitetin dhe integrimin në mes të komuniteteve të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë.
Po ashtu, gjatë këtij organizimi do të mundësohet lidhja e kontratave ndërmjet shitësve dhe blerësve, me çmime promocionale me qëllim të krijimit të një strukture dhe oferte të përbashkët turistike, duke ruajtur dhe promovuar traditën shqiptare të Malësisë së Gjakovës.
Në këtë organizim me produktet e tyre pritet të prezantohen rreth 40 pjesëmarrës të cilët produktet e tyre do t’i prezantojnë në Lamën e Drithit.
Pjesë e këtij manifestimi pritet te jenë edhe përfaqësues të Bashkive të Tropojës, Hasit, Komunës së Gjakovës, si dhe Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë./radiogjakova/