Parku i biznesit do sjellë investime të reja
Vendimi i më hershëm i Asamblesë komunale të Gjakovës për shpallje të interesit publik për disa ndërmarrje shoqërore dhe kërkesa e komunës drejtuar AKP-së për dhënie në shfrytëzim të objekteve të dy ndërmarrjeve të tilla, “Metaliku” dhe “Virgjinia”, do të dërgojë në krijimin e parkut industrial në Gjakovë, i cili krahas zonës së lirë ekonomike do të mundësojë kushte më të mira për investitorët potencial, të interesuar të investojnë në Gjakovë.
Sipas zyrtarëve komunal, paraprakisht, para kërkesës në AKP për dhënie në shfrytëzim të pronave të “Metalikut” dhe “Virgjinisë”, komuna ka aplikuar në ministrinë për Tregti dhe Industri për krijimin e parkut industrial dhe për këtë ministria ka ndarë një fond prej 300 mijë eurosh.
Sipas këtyre zyrtarëve, ky fond do të dedikohet kryesisht për rregullimin e infrastrukturës në parku e biznesit, por që të ndodhë kjo duhet që paraprakisht AKP-ja t’ia mundësojë komunës menaxhimin apo bashkëmenaxhimin e këtyre dy pronave.
Për këtë kërkesë të vazhdueshme të komunës së Gjakovës, mësohet se bordi i AKP-së do të diskutojë pas kthimit nga pushimet, përkatësisht në mbledhjen e rregullt që pritet të mbahet gjatë muajit shtator.
Ndryshe, tash e sa kohë, komunarët kanë paralajmëruar se ka mjaft investitorë të interesuar që të investojnë në Gjakovë, por mungesa e pronës komunale apo e një parku të biznesit ka bërë që disa prej tyre edhe të kthehen prapa./radiogjakova/