Pasuria e Kusari-Lilës u shtua për 1% në 2014-n
Në aspektin ekonomik viti 2014 ka qenë shumë i mbarë për Mimoza Kusari-Lilën. Sipas raportit të “Fol”, e para e Gjakovës ka shtuar pasurinë me 1.01% ose 3 050 euro për këtë vit kalendarik në krahasim me vitin 2013.
Në total vlera e pasurisë së Kusari-Lilës shkon në 304.048 euro, ku pjesën më të rëndësishme e zë pasuria e paluajtshme që vlerësohet me 270 mijë euro. Kryetarja e Gjakovës ka deklaruar se ka para të gatshme në institucione financiare 4 mijë e 500 euro, ndërsa të hyrat vjetore shkojnë në 14 mijë e 480 euro.
Të hyrat vjetore të bashkëshortit prekin shifrën e 15 mijë e 68 eurove, ndërsa Kusari-Lila ka thënë se nuk posedon letra me vlerë, nuk ka aksione në ndonjë kompani si dhe nuk ka pasuri të luajtshme.
Në kohën kur Gjakova udhëhiqej nga Pal Lekaj kishte kryetarin më të pasur, por tani ky epitet i takon Agim Bahtirit të Mitrovicës që pasohet nga Gazmend Muhaxheri i Pejës dhe Xhafer Gashi i Obiliqit.
Kryetari më i “varfër” i komunave të Kosovës është Shpend Ahmeti i Prishtinës, pasohet nga Selim Jomuzi i Dragashit dhe Rufki Suma i Hanit të Elezit./radiogjakova/