PDK, AAK dhe VV bashkë kundër shtatores së Fadil Hoxhës
Gjakovë- U mbajt mbledhja e dytë e Kuvendit të komunës së Gjakovës. Takimi i kuvendarëve ka nisur me një minutë heshtje në nderim të ish asambleistes së AKR-së Gjylgjyzare Xharavina, që muaj më parë pësoi në aksident trafiku.
Ndërkohë që gjatë shqyrtimit të rendit të ditës, është kërkuar ndryshim i tij. Më saktësisht kuvendari nga radhët e PDK-së Artan Nimani, ka kërkuar që nga rendi i ditës të hiqet caktimi i lokacionit për ndërtimin e bustit të Fadil Hoxhës, duke e konsideruar ate si përgjegjës për shumë dëme që i janë shkaktuar Kosovës, gjatë periudhës së ish pushtetit jugosllav. Kjo kërkesë është mbështetur edhe nga shefja e grupit të kuvendarëve të Vetëvendosjës, Arbërie Nagavci, ndërkohë që më pastaj është zhvilluar një debat i gjërë në këte temë.
Në fund ky propozim doli në votim dhe me 17 vota pro kësaj kërkese dhe 15 kundër, u vendos që pika e rendit të ditës për caktimin e lokacionit për ngritjen e lapidarit të heroit të popullit Fadil Hoxha të hiqet nga rendi i ditës.
Në vazhdim këshilltarët komunal kanë shqyrtuar planin e punës së Kuvendit dhe të Komitetit për Politikë e Financa për vitin vijues. Lidhur me këtë është arritur pajtueshmëria që mbledhjet e Kuvendit të Komunës të mbahën cdo të premte të fundit të muajit, ndërkohë që takimet e Komitetit për Politikë e Financa do të mbahën cdo të marte të dytë të muajit.
Seanca e dytë e Kuvendit të Komunës së Gjakovës për këte vit, ka vazhduar me shqyrtimin e kërkesës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për caktimin e lokacioneve për ndërtimin e objektit të Gjykatës Themelore dhe të objektit të Qendrës për Aftësim Profesional në Gjakovë.
Hollësit rreth objektit të Gjykatës Themelore të paraparë të ndërtohet në Gjakovë dhe lokacionin e paraparë, ka prezentuar Xhelal Hoxha, drejtor i drejtorisë komunale për Urbanizëm.
Në takimin e së premtës të kuvendarëve është bërë edhe nominimi i anëtarëve të Komitetit për Arsim, të Komitetit për Zhvillim Ekonomik dhe Komitetit për Shëndetësi të komunës së Gjakovës si dhe të anëtarëve të Komisionit për Identifikimin dhe Dhënien në shfrytëzim të banesave të banimit social.
Seanca e Asamblesë komunale është përmbyllur me shqyrtimin e propozim-vendimit të kryetares së Komunës, Mimoza Kusari Lila, për hartimin e projektit për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores mbi Tarifat dhe Ngarkesat nga Shërbimet dhe Veprimtaritë Komunale. /radiogjakova/