“Për një vit investuam 700 mijë euro për komunitetet pakicë”
Kusari-Lila ka pritur në vizitë Zv/Ministrin e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës, Jollxhi Shala. Në këtë takim u diskutua për rastin e vdekjes së pjestarit të komunitetit egjiptas, Zija Nuka si dhe për nivelin e sigurisë në lagjet ku banojnë pjestarët e komunitetit RAE.
“Vetëm gjatë një viti në lagjet e banuara nga komunitetet pakicë janë investuar 700.000 euro, duke përmisuar dukshëm infrastrukturën në lagjet ‘Ali Ibra’, lagjen ‘Sefë’ dhe ‘Brekoc’, si dhe ndihmat e vazhdueshme të Komunës së Gjakovës në pagesat e qerasë për të pastrehët dhe ndihmat tjera për rastet sociale. Në Komunën e Gjakovës nuk ka dallime etnike, të gjithë qytetarët trajtohen të barabartë dhe nuk ka asnjë arsye për frikë dhe panik te komuniteti RAE”, tha kryetarja Kusari-Lila.
Në këtë takim ishte prezent edhe komandanti i stacionit policor në Gjakovë, kapiten Krist Gjokaj i cili dha më shumë detaje për incidentin fatëkeq, qe u cilësua si akt i bërë pa motive etnike. “Policia e Kosovës në vazhdimësi është në përcjellje të situatës së sigurisë, andaj nuk ka hapsirë për panik dhe frikë tek komuniteti RAE, pasi që nuk vrehen indikatorë të rezikshëm për sigurinë e tyre”, tha ndër të tjera Gjokaj.
Nga ana tjetër Shala falenderoi Kusari-Lilën për angazhimin e vazhdueshëm me projekte konkrete për komunitetin RAE, si dhe shprehi gadishmërin e Ministrisë së Kthimit dhe Komuniteteve për të ndihmuar Komunën e Gjakovës në disa projekte të reja që ngrisin mirëqenien e pjestarëve të komuniteteve./radiogjakova/