Përgatitjet e fundit për “Lyra Fest ’13”
Gjakovë- Kanë mbetur edhe pak ditë për mbajtjen festivalit mbarëkombëtar të këngës “Lyra Fest 2013”, festivali, tashmë tradicional, që synon organizimin e edicionit të shtatë të tij.
Me mbylljen e konkursit për pranimin e këngëve ka përfunduar një fazë e rëndësishme për organizimin dhe mbarëvajtjen e festivalit. Gjatë kësaj periudhe janë paraqitur 24 këngë konkuruese nga Gjakova, Peja, Prizreni, Prishtina, Ferizaji, Drenasi, Gjilani, Shkupi dhe diaspora.
Këngët janë të krijuara nga emra të njohur autorësh dhe orkestruesish të dalluar kryesisht për këngët e fëmijëvë, si p.sh.: Ruzhdi Sadiku, Butrint Bicurri, Adem Ymeri, Memli Kelmendi, Hysni Klinaku, Selvete Krasniqi etj.
Tashmë kanë filluar edhe provat e korit të fëmijëve, të cilët po përgatisin përcjelljen e të gjitha këngëve, gjë që e cila luan rol shumë të madh për festivalin e këngës për fëmijë. Festivali mbarëkombëtar i këngës për fëmijë ka karakter garues ku konkurojnë fëmijë nga mosha 6 deri 13 vjeç. Numri i këngëve konkuruese do jetë jo më shumë se 18. Ndërsa, në përgjithësi, pritet të marrin pjesë mbi 100 fëmijë, si pjesë e korit, mysafirë etj.
Festivali mbarëkombëtar i këngës për fëmijë Lyra Fest 2013 do të mbahet me datë 09 nëntor, dhe mbështetet nga MKRS-ja dhe Drejtoria për Kulturë pranë Komunës së Gjakovës. Sponzor medial është Radio Gjakova, KTV dhe Kosova Sot./radiogjakova/










