Përkujtohen dëshmorët e kombit Fatmir Kërleshi e Xhevat Hoxha
Nesër, ( të martën) bëhen 27 vite nga rënia heroike e dy dëshmorëve të kombit Fatmir Kërleshi e Xhevat Hoxha, të cilët u vranë në ballafaqim të drejtpërdrejt, me forcat policore serbe, në demonstratat e dimrit të vitit 1990, në afërsi të parkut të lirisë në lagjen Gecë të Gjakovës. Ata u flijuan për shtetin e ri të Kosovës duke kërkuar demokraci e liri, bashkë me mijëra moshatar të tyre. Kështu, Fatmiri e Xhevati u rreshtuan mes dallëndysheve të para të lirisë së Kosovës, të cilët me guximin dhe trimërinë e tyre, ju kundërvuan haptas shtypjes dhe hegjemonizmit sllav. Si të tillë, ata vazhdojnë të kujtohen me pietet dhe krenari të madhe nga të gjithë për shëmbëlltyrën e tyre të ndritur. Shembulli dhe vepra e tyre do të jetojë ndër brezni. Në nderim të heroizmit dhe veprës së Fatmirit dhe Xhevatit nesër ( te marten) në orën 10 e 30 familjarë dhe bashkëpjesëmarrës të tyre në këtë ngjarje si dhe qytetarë tjerë do të bëjnë homazhe tek vendi i rënies, tek parku i lirisë në lagjen Gecë dhe më pas edhe tek varrezat e tyre.