.
Published On: Mon, Apr 3rd, 2017

Përkujtohet masakra e 1 Prillit

Share This
Tags

OJQ “Thirrjet e Nënave” në përkujtim të martirëve të kombit apelon tek institucionet vendore e ndërkombëtare që të bëjnë presion ndaj Serbisë që të zbardhet fati edhe shumë të pagjeturve.

Në përkujtim të qindra e qindra martirëve të kombit të Komunës së Gjakovës, të rrëmbyer, nga viti 1999 e deri ne çlirimin e Kosovës, Shoqata “Thirrjet e Nënave” Gjakovë, përkujton 1 Prillin e vitit 1999, kur forcat policore, ushtarake serbo-malazeze në mënyrë të dhunshme i rrëmbyen, i vranë dhe i masakruan 29 vetë, të cilët pastaj i dërguan në varreza masive në Serbi për t’i fshehur gjurmët e krimit.

Edhe me këtë rast Shoqata “Thirrjet e Nënave”, nga Gjakova apelon tek institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare që të bëjnë presion ndaj shtetit të Serbisë dhe të tregojë për vendndodhjen dhe kthimin e menjëhershëm të qytetarëve të Kosovës, që ende konsiderohen të zhdukur.

“Të gjithë ata që u martirizuan për lirinë e Kosovës janë të pavdekshëm për familjen dhe atdheun”- thuhet në përkujtimin e kësaj masakra nga Shoqata “Thirrjet e Nënave”.

Përpos kësaj, marrë në tërësi, mbi 60 shqiptarë të bashkësisë së parë lokale në Gjakovë janë masakruar nga forcat serbe, në mesnatën e 1 dhe 2 prillit të vitit 1990. Në atë lagje u qëlluan dhe u dogjën të gjallë burra, gra e fëmijë.

Flaka që dilte nga shtëpia e familjes Vejsa, tronditi të gjithë banorët e qytetit. Krismat e automatikëve nuk kishin të ndalur, ndërkohë që shtëpia digjej bashkë me trupat e njerëzve të gjallë e të vrarë.

Me këtë rast, 20 anëtarë të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi të strehuar në shtëpinë e Lulzim Vejses u ngjitën në qiell bashkë me flakën që dogji trupat e tyre për të sjellë dritën e lirisë mbi trojet tona.

Nga ana tjetër u vranë dhe u dogjën bashkë me shtëpitë edhe të katër anëtarët e familjes Cana dhe katër nga familja Gërçari.