.
Published On: Tue, Nov 12th, 2013

Përparësitë e zonës së lirë ekonomike

Share This
Tags

gjakova-qendraGjakovë- Zv/ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj në një prononcim për Radio Gjakovën ka treguar për përparësitë e Gjakovës si zonë e lirë ekonomike.

“Me zonën e lirë ekonomike ne tentojmë të stimulojmë një numër të sektorëve që kanë të bëjnë me përparësinë konkurruese që ky vend i ka në krahasim me qytetet tjera të Kosovës. Kjo do të thotë që bizneset që operojnë  në  zonë të lirë, posaçërisht bizneset prodhuese do të kenë  lehtësira fiskale në raport  me bizneset që operojnë në pjesët tjera të vendit”, u shpreh Nikaj.

Sipas tij një biznes prodhues që prodhon në Gjakovë, mund të ketë përparësi që nuk ka nevojë të paguajë doganë për material shpenzues apo lëndë të parë deri në momentin kur produkti final del në treg.

“Nëse produkti final del në tregun vendor atëherë duhet paguar të gjitha obligimet, por nëse ai eksportohet atëherë prodhuesi do të ishte i liruar  nga të gjitha obligimet tatimore dhe fiskale që mund t’i ketë për këtë proces të prodhimit dhe ky është vetëm një element që mund të ketë përparësi në zonën e lirë ekonomike.

Një element tjetër ka të bëjë me lirimin nga taksa dhe interesat tjera fiskale për bizneset që vendosin të vijnë në këto zona të lira ekonomike. Deri në fund të këtij viti do t’i kemi të përfunduara të gjitha kërkesat administrative dhe nga viti i ardhshëm mund të fillojmë me operimin e zonës së lirë ekonomike në Gjakovë”,  ka thënë Nikaj./radiogjakova/