Përurohen zyret e Këshillit të Veprimit Rinor Lokal
Të mërkurën u hap zyra e Këshillit të Veprimit Rinor Lokal në hapësirat e Komunës së Gjakovës, të cilat i ka ofruar në shfrytëzim për aktivitetet e 38 OJQ-ve rinore të anëtarësuara në këtë këshill.
Kjo zyre do jetë funksionale në bashkëpunim edhe me Konsullatën e Shqipërisë, për aktivitet që do ndërlidhen edhe me banorët e Malësisë së Gjakovës.
Nënkryetari Armend Vokshi, tha se përveç nënkodit buxhetor në të cilën Komuna ka ndarë subvencione për fuqizimin e rinisë dhe mbështetjen e OJQ-ve rinore, duhet t’i falenderojmë edhe organizatat e huaja për mbështetjen e shumë aktiviteteve për fuqizimin dhe zhvillimin e rinisë.
Kryetari i KVRL-së së Gjakovës, Andi Batusha, tha se për të gjitha OJQ-të rinore anëtare të KVRL-së u hapën rrugët për angazhime të tjera plot vullnet në emër të përfaqësimit të të rinjëve dhe lobimit për politika të mirëfillta rinore.
Sipas tij, kjo hapësirë vjen si rezultat i punes 2-vjeçare dhe përkushtimit të OJQ-ve anëtare për krijimin e të gjitha kushteve të nevojshme, e do të jetë në shërbim të secilës nismë rinore e cila qëllim ka ngritjen e kapaciteteve të të rinjëve dhe nxitjen e bashkëpunimeve.
Batusha paralajmëroi edhe disa aktivitete të cilat do të ndërmerren menjëherë siç është publikimi i uebfaqes dhe krijimi i këndit të OJQ-ve./radiogjakova/