PISA në Gjakovë, testi mbahet prej 16-23 prill
Me testet e para që kanë nisur në Prizren, zyrtarisht në Kosovë ka filluar testi Pisa – 2018.
Drejtoria për Arsim njoftoi se në Gjakovë ky test do të mbahet për 8 ditë me radhë duke filluar nga data 16 deri me 23 prill, në 8 shkolla të përzgjedhura nga Ministria e Arsimit, prej të cilave 4 janë shkolla fillore dhe 4 të tjera të mesme.
Këtij testi do t’i nënshtrohen nxënës të Gjimnazit “Hajdar Dushi”, Shkollës së Mesme Ekonomike “Kadri Kusari”, Shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha”, Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Hysni Zajmi”, si dhe shkollave të mesme të ulëta “Zekeria Rexha”, “Selman Riza”, “Haxhi Hoti” e Rogovës dhe “Dëshmorët e Hereçit” nga Hereçi.
Testi zhvillohet në mënyrë elektronike dhe gjatë një dite është paraparë që i njëjti të zhvillohet në një qendër arsimore, që nënkupton një shkollë në ditë, ndërkohë që në test përfshihen vetëm nxënësit 15-vjeçarë.
Në të njëjtin vlerësim të mbajtur në vitin 2015, Kosova është renditur e treta nga fundi prej 72 vendeve të botës, rezultat ky i cili është cilësuar si alarmues për gjendjen e arsimit në Kosovë./radiogjakova/