Politika uron për Kurban Bajram
Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Këshilli i Bashkësisë Islame të Gjakovës ka pranuar urime nga përfaqësues të institucioneve, subjekteve politike dhe organizata të ndryshme.
Në emër të Komunës së Gjakovës, nënkryetari Armend Vokshi ka uruar krerët e Këshillit dhe të gjithë besimtarët myslimanë. Ai tha se institucionet e vendit, qofshin ato politike apo fetare, duhet të jenë shembulli më i mirë i angazhimit dhe sakrificës për të të mirën e përgjithme.
Urime për solidaritet dhe unitet në emër të Partisë së Drejtësisë, dega në Gjakovë, ka përcjellë edhe kreu i saj, Bahri Bokshi. Ky i fundit shtoi se duhet të zgjasim dorën e ndihmës çdo ditë, jo vetëm gjatë festave.
Edhe Edi Puka nga partia më e re Alternativa, përmes Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, uroi besimtarët për festën e Kurban Bajramit. Ajo tha se mirësia e kësaj dite të shenjtë duhet të reflektojë në çdo ditë tjetër dhe në çdo vend ku gjendemi.
Kandidati për kryetar të komunës së Gjakovës nga radhët e partisë Nisma për Kosovën, Fazli Hoxha, në emër të strukturave dhe anëtarësisë së kësaj partie në Gjakove uroi mbarësi dhe shëndet për të gjithë besimtarët me rastin e festës së Bajramit të vogël.
Urimet për mirëqenie dhe unitet përcolli edhe kandidati për kryetar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bekim Ermeni. Ky i fundit shtoi se të gjithë politikanët, pa përjashtim, duhet të tejkalojnë dallimet dhe të bashkohen në të mirë të komunës së Gjakovës.
Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje të udhëhequr nga Driton Çaushi, kandidat për kryetar të komunës së Gjakovës, uruan të gjithë besimtarët mylimanë për festën e Kurban Bajramit. Në urimin e tij, Çaushi tha se kjo festë që simbolizon sakrificën dhe solidaritetin, jep mesazh për mbarë njerëzimin që asnjëherë të mos heqim dorë nga idealet dhe përherë t’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, veçanërisht nevojtarëve.
Edmond Dushi, kandidat për kryetar nga radhët e Aleancës për Kosovën e Re, uroi që solidariteti të jetë gjithmonë i pranishëm në mesin e qytetarëve të komunës së Gjakovës. Ai shtoi se në këtë ditë të madhërishme duhet të mbizotërojë humaniteti, uniteti dhe mirëkuptimi.
Ramadan Hoti nga Partia Demokratike e Kosovës i shoqëruar edhe nga deputeti Hajdar Beqa dhe bashkëpunëtorë të tjerë, uroi që kjo festë të bashkojë qytetarët drejt qëllimeve të mira. Hoti shtoi se vetëm të bashkuar mund të arrijmë të realizojmë gjëra të mira për vendin.
Përmes Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, të gjithë besimtarët i uroi edhe Ardian Gjini, kandidat pë kryetar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Gjini shtoi se kjo festë shërben për ta parë se sa jetike për ne është dashuria ndërmjet nesh dhe toleranca ndaj të ndryshmëve. Për të shprehur urime ishte edhe deputeti i kësaj partie në Kuvedin e Kosovës, Pal Lekaj.
Përpos përfaqësuesve nga subjektet politike, urime pati edhe nga shoqata e intelektualëve “Jakova”, Stacioni Policor në Gjakovë dhe Aleanca Kosovare e Biznesit.
Në fundt, kreu i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, Ahmet Hoxha, falënderoi të gjithë ata që e uruan për festën e Kurban Bajramit dhe për mesazhet që përcollën në këtë të rëndësishme për besimtarët myslimanë./radiogjakova/