.
Published On: Thu, Jan 1st, 2015

Presidentja Jahjaga viziton Gjakovën

Share This
Tags

kusari-jahjagaPresidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani dhe kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, vizitoi Spitalin Regjional “Isa Grezda” në Gjakovë. Ajo takoi nënën Luljeta Beka, që ka lindur fëmijën e parë të vitit 2015 në këtë qendër, si dhe e uroi atë, për lindjen e vajzës. Ndërkaq, vazjës së parë të lindur në këtë qendër, Esma Beka, i dëshiroi jetë të gjatë dhe shëndet së bashku me familjen e saj.

“Sot erdha, sepse e dini që e kemi bërë këtë traditë që të vizitojmë ditën e parë të Vitit të Ri, fëmijën e parë të të lindur. Por, këtë vit pak e kemi ndryshuar qasjen, sepse gjithmonë kemi shkuar në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës, dhe kam vendosur që, duke filluar nga ky vit, dhe vitet e tjera të shkoj në qendra të ndryshme rajonale nëpër Kosovë. Ishim këtu në Qendrën Rajonale të Spitalit të Gjakovës, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, me kryetaren e Komunës dhe me Drejtorin e Qendrës, vizituam fëmijën e  parë dhe nënën e saj. Përgëzova nënën për lindjen e fëmijës, kurse Esmës së vogël i dëshirova jetë të gjatë, shëndet, ta kalojë një jetë të mirë me familjen e saj”, tha Presidentja Jahjaga. 

Presidentja Jahjaga, po ashtu, vizitoi edhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ku u prit nga drejtori, nënkolonel Ahmet Hasi. Ajo shprehu falënderimin e saj për Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovës për mbajtjen e një ambienti të qetë në natën e ndërrimit të moteve.

“Ndoshta duket edhe si rastësi sot vizita ime, me krijimin e Drejtorisë Rajonale të Gjakovës. Fillimisht, unë përgëzova kryetaren, pastaj edhe Drejtorin Rajonal të Policisë të Rajonit të Gjakovës, për mbajtjen e një ambienti të qetë, të sigurtë gjatë natës së ndërrimit të motmoteve”, tha Jahjaga./radiogjakova/