Prezantohet hulumtimi “Nevojat e tregut të punës”
Aleanca Kosovare e Biznese prezantoi të arriturat e hulumtimit “Nevojat e tregut të punës”, të cilin e ka realizuar në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës.
Në hyrje të kësaj konference, kreu i AKB-së së Dukagjinit, Argjent Fetahu tha se synimi kryesor i këtij hulumtimi është identifikimi i nevojave në tregun e punës.
“Asnjëherë nuk do të arrihen rezultatet e pritura në hartimin e politikave të punësimit, arsimit dhe aftësimit profesional në tregun e punës pa informata apo të dhëna cilësore dhe një studim të mirëfilltë shkencor të këtij tregu”, u shpreh Fetahu.
Ai shtoi se informatat në tregun e punës janë resursi më i rëndësishëm, prandaj hulumtime të tilla do të ndihmojnë të gjithë akterët e këtij tregu, sidomos institucionet vendimmarrëse.
Duke folur për rezultatet e hulumtimit, Fetahu tha se numri i të punësuarve në vit, në bazë të trendit të punësimit për vitet 2006-2016, është 12 mijë persona në vit, ndërsa në Kosovën e pasluftës për çdo vit mesatarisht janë hapur mbi 8 mijë biznese.
Sa i përket mbylljeve të bizneseve vendore, nga ky hulumtim rezulton se nga viti 2011 numri i bizneseve që mbyllen është në rritje. Vetëm në 2016 janë mbyllur mbi 2300 biznese.
Duke lavdëruar punën e institucionit që drejton, kryetari i AKB në nivel vendi, Agim Shahini tha se në bazë të rezultateve të këtij hulumtimi, do t’i rekomandojnë shtetit të Kosovës për të bërë reforma më të thella ekonomike në mënyrë që të garantohet konkurrenca e drejtë edhe me bizneset që operojnë në Kosovë.
Sa i përket remintencave, Shahini tha se gjatë 5 viteve të fundit shihet se emsatarisht hyjnë rreth 620 milionë euro në baza vjetore.
“Hulumtimi nxjerr se këto të ardhura shkojnë në patundshmëri, pra në banesa, lokale, shtëpi apo tokë. Pikërisht këtu është dhe shqetësimi ynë sepse këto të hyra nuk gjenerojnë vende të reja të punës”, tha Shahini.
Numri më i mad hi vendeve të lira të punës që janë gjetur gjatë këtij hulumtimi vjen nga sektori i ndërtimtarisë, por nuk janë mbrapa as bujqësia, pylltaria apo industria përpunuese.
Sa i përket hulumtimit, ai është realizuar në të gjithë territorin e Kosovës ku janë anketuar 1200 biznese apo 10% e mostrës së përzgjedhur./radiogjakova/