Prezantohet projekti i Qarkores së Gjakovës
Brenda dy viteve të ardhshme në Gjakovë nga Ministria e Infrastrukturës do të investohen rreth 8 milionë euro në ndërtimin e qarkores së Gjakovës.
Për Lotin I të këtij projekti Komuna organizoi të enjten sesion informues me operatorët ekonomikë, projekt ky i cili pritet të nisë gjatë javëve të ardhshme.
Loti i parë i këtij projekti përfshinë segmentin nga lokacioni i ashtuquajtur Ura e Nakarades deri tek rrethrrotullimi në kryqëzimin e rrugëve “Tirana” dhe “Bujar Roka”, saktësisht të rrethi tek “Nesim Bakija”.
Për të vazhduar më tej me lotet e ardhshme që përfshijnë segmentin në mes të lokacioneve Ura e Nakarades dhe “Pika e Zezë” si dhe vazhdimin e rrugës “Bujar Roka” në drejtim të Shkugëzes e Rekës së Keqe.
Kryetari Ardian Gjini tha se ky projekt i përbashkët mes institucionit që drejton dhe Ministrisë së Infrastrukturës po bën që Komuna të hap tenderin më të madh ndonjëherë.
Ai shtoi se do të këmbëngulë që e gjithë kjo të realizohet si pjesë e autostradës së Dukagjinit.
Lekë Sina, nga drejtoria komunale e Shërbimeve Publike në Gjakovë njoftoi të pranishmit për parametrat teknike, specifikat dhe standardet të cilat duhet të aplikohen gjatë realizimit të rrugës së gjatë mbi 2 kilometra.
Takimi ka përfunduar me vizitën në teren të të gjithë operatorëve ekonomikë në mënyrë që të njoftohen për së afërmi me projektin Lotit I të Qarkores së Gjakovës./radiogjakova/