.
Published On: Thu, Dec 29th, 2016

Prezantohet puna një vjeçare e Gjykatës Themelore në Gjakovë

Share This
Tags

Gjykata Themelore në Gjakovë sivjet i ka dhënë prioritet lëndëve të korrupsionit dhe sipas udhëheqësve të kësaj gjykate, ka arritur sukses të madh, pasi ka arritur që të zgjidhë shumicën e tyre. Kështu u tha gjatë një konference për media që, të enjten, është mbajtur e ku kryetari i Gjykatës Themelore, Vaton Dërguti ka prezantuar punën një vjeçare në Gjykatën Themelore në Gjakovë, si dhe të degëve të saj në Rahovec dhe Malishevë. Me këtë rast ai ka prezantuar një raport të gjerë për aktivitetin në këtë Gjykatë, duke dhënë shifra për lëndët që janë zgjidhur gjatë vitit 2016. Sipas tij ka pasur një volum të madh siç është rasti me lëndët kundërvajtese, ndërkohë, që Gjykata ka vetëm dy gjyqtar për ti zgjidhur këto lëndë. Sivjet kanë qenë në punë 24 mijë e 598 lëndë kundervajtëse, 7 mijë e 998 të bartura nga vitit 2015, si dhe 16 mijë e 600 lëndë të reja. Derisa gjatë këtij viti janë zgjidhur 13 mijë e 897 lëndë.

Dërguti po ashtu gjatë konferencës për media ka vlerësuar edhe bashkëpunimin me Institucionet vendore, por ka falënderuar edhe ato ndërkombëtare, për ndihmën që po japin me qëllim ngritjes së kapaciteteve në drejtësi. Ai si sukses gjatë këtij viti ka përmendur edhe transparencën e gjykatës në raport me media dhe qytetar, që sipas tij Gjykata ka qenë e hapur.