Prioritetet e drejtorisë së Etor Hoxhës
Gjakovë-Menaxhimi i mirëfilltë i mbeturinave, trajtimi përkatës i sipërfaqeve të gjelbëruara, pastrimi i lumenjve, pastaj mirëmbajtja e rrugëve dhe ndriçimit publik, gjatë muajve të ardhshëm të këtij viti, do të jenë në fokus të angazhimit të Drejtorisë komunale të Shërbimeve Publike në Gjakovë.
Këtë e ka pohuar për Radio Gjakovën, drejtori i porsazgjedhur i kësaj drejtorie Etor Hoxha. Sipas drejtorit Hoxha, një çështje tjetër e cila kërkon zgjidhje të menjëhershme është situata në trafik, përkatësisht vendosja dhe rivendosja e shenjave të sinjalizimit horizontal dhe vertikal, gjë e cila pritet të ndikoi në përmirësimin e situatës në këtë fushë.
Kur është fjala tek mirëmbajtja e rrugëve në stinën e dimrit, drejtori i Drejtorisë komunale të Shërbimeve Publike në Gjakovë, Hoxha, ka thënë se në rast të reshjeve të borës, shqetësuese do të jetë mirëmbajtja e rrugëve rajonale në komunën tonë, meqë ministria përkatëse ende nuk e ka zgjedhur kontraktuesin përkatës, gjë e cila do të paraqet problem mjaftë serioz./radiogjakova/