Probleme me një pjesë të rrugës së Çabratit

Foto: Ilustrim
Gjakovë- Banorët e një segmenti të rrugës “Martin Camaj” në lagjen e Çabratit janë ankuar se po kanë vështirësi të hyjnë e dalin në shtëpitë e tyre. Sipas banorëve kjo po ndodhë pasi tash e dy muaj janë ndërprerë punimet në rregullimin e rrugës dhe kjo gjë e ka vështirësuar madje edhe bllokuar lëvizjen e lirë të tyre.
Banorët tregojnë se pasi e kanë instaluar rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, punëtorët e kompanisë kanë ikur duke i lënë madje edhe kanalet e hapura, të cilat janë detyruar t’i mbyllin vet banorët.
Dedë Gega, njëri nga banorët e kësaj rruge, thotë se tash e disa kohë kanë bërë dhjetëra kërkesa në komunë, për vazhdimin e këtyre punimeve dhe vazhdojnë ta kërkojnë të njëjtën gjë edhe sot, sepse siç thotë ai më gjendjen në të cilën ndodhet rruga, plot me baltë dhe e pakalueshme, është e vështirë që banorët të hyjnë në dimër.
Banorët kërkojnë që për të shpëtuar nga balta e bllokimi, rruga e tyre të paktën të shtrohet me zhavor, në mënyrë që të bëhet e kalueshme. E pikërisht kjo duket të jetë edhe zgjidhja që qeveria lokale do tu ofrojë këtyre banorëve.
Zyrtarë komunal kanë premtuar se brenda pak ditësh kjo rrugë do të jetë e shtruar me zhavor dhe banorëve do tu zgjidhet përkohësisht problemi i tyre./radiogjakova/










