Projekti i Alpeve, Shqipëria bën hapin e parë
Gjakovë- Mimoza Kusari Lila ka pritur Benet Becin, drejtor ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si dhe Qemal Minxhozin, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë me të cilët është biseduar rreth projektit të alpeve të dy anëve të kufirit.
Me bisedat konkrete që i patëm për integrimin e të dy anëve të kufirit, duke e hequr atë në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrën më europiane, ne biseduam konkretisht për projektet të cilat si ide po trajtohen dhe do të kemi edhe një takim tjetër të rradhës në mesin e këtij muaji për ti konkretizuar dhe për të krijuar një plan konkretizimi praktik për zhvillim turistik , ekonomik, bujqësor e në fusha tjera, ka pohuar kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila.
Për rrjedhen e takimeve që do të jenë në perspektivë, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka bërë të ditur se Shqipëria ka ndarë një milionë euro për investime në zonën e Tropojës, ndërkohë që për investime në Kosovë do të shikohen mekanizmat për të gjetur fonde. Për këtë qëllim, ka qartësuar më pas kryetarja Kusari Lila, së shpejti, brenda një muaji komunat e Kosovës perëndimore do të organizojmë një konferencë të përbashkët, ku dhe do të kemi një plan më konkret.
Benet Beci, drejtor ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit ka pohuar se ky fond merret me ndërtimin e infrastrukturës në brendi të Shqipërisë dhe tani po mendojmë që të gjejmë shtrirje edhe në pjesën e kufirit me Kosovën, konkretisht komunën e Gjakovës për interes të dyanshëm turistik dhe ekonomik, dhe për këtë qëllim së bashku duhet të përcaktojmë akset e zhvillimit.
Ndërkaq, ambasadori Qemal Minxhozi këtë projekt të alpeve dhe të bashkëpunimit në favor të dy shteteve e ka cilësuar jo thjesht si një projekt turistik porse si një projekt gjithëpërfshirës për zhvillim integral dhe patriotizëm konkret. Si hap të parë, Minxhozi ka vlerësuar se nuk duhet të ketë vija ndarëse, porse bashkimi dhe bashkëpunimi.