Punimet në rrugën “Bujar Roka”, ankohen banorët
Banorët e lagjes “Bujar Roka” janë ankuar në projektin e ndërtimit të rrugës që po e realizon Komuna. Ata janë të shqetësuar me kuotën e rrugës, që sipas tyre, është deri në 70 centimetra mbi nivelin e trotuareve ekzistuese, gjë e cila vështirëson dhe pamundëson qasjen e qytetarëve në rrugë.
Në një letër që i kanë dërguar Komunës së Gjakovës, banorët flasin edhe për probleme të tjera që po përcillet ky projekt dhe kanë kërkuar nga komuna që t’i përmirësojë ato.
“Kemi informacione se në rrugë nuk do të ketë rrjet të kanalizimit fekal dhe atmosferikë. Po ashtu, gjatë punimeve kabllot kryesore të rrugës janë këputur disa herë dhe janë lidhur me shtesa të cilat sipas ekspertëve nuk janë të qëndrueshme dhe janë pa asnjë mbrojtje”, thuhet ndër të tjera në letrën e banorëve.
Ky shqetësim është i 70 familjeve që banojnë në 200 metërshin e parë të rrugës të cilët këto probleme i kanë shprehur direkt edhe të hënën gjatë një takimi që kanë pasur me zyrtarët e komunës.
Ata po shpresojnë që kjo situatë të përmirësohet në afatin sa më të shkurtër në mënyrë që ky investim të jetë afatgjatë dhe të mos përsëritet pas një kohe të shkurtër.
Ndërkohë, drejtoresha e Shërbimeve Publike, Kaltrina Biblekaj ka thënë se do të shqyrtojnë kërkesën e këtyre banorëve lidhur me këtë shqetësim.
Rruga që ka nisur në muajin e kaluar po ndërtohet me mjete të projektit Demos dhe Komunës së Gjakovës, ndërsa do të ketë një gjatësi prej 750 metra. Rruga që nisë nga rrethrrotullimi në dalje kah Prizreni dhe shkon drejt Bllokut të Ri, do të ketë 4 korsi dhe infrastrukturën tjetër përcjellëse./radiogjakova/