Qarkorja, dëgjim publik për shpronësimin e tokave për segmentin e parë
Komuna e Gjakovës organizoi të martën debat publik lidhur me shpronësimet me pronar që kanë parcelat në rrugën që dërgon në Prizren. Në atë pjesë është planifikuar ndërtimi i qarkores.
Segmenti i parë i qarkores do të nisë tek rrethrrotullimi afër policisë së Kosovës dhe do të vazhdojë deri tek Ura e ashtuquajtur e Nakaradës. Me këtë rast, krerët e komunës kanë dhënë sqarime për 80 persona fizikë dhe juridikë, pronarë të tokave apo atyre që kanë bizneset në atë pjesë të komunës.
Segmenti i parë i Qarkores do të kalojë në 4 zona kadastrale dhe Komuna duhet të shpronësojë mbi 18 mijë e 600 metra katrorë tokë.
Drejtori për Shërbime Publike, Shkumbin Kastrati ka treguar për procedurat që duhet të ndjekin pronarët e tokave për këto shpronësime, ndërsa drejtoresha për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Afërdita Lama dha detaje të tjera.
Ndërkohë, kryetari i komunës, Ardian Gjini duke u ndërlidhur më këtë projekt ka thënë se rruga që do të ndërtohet është një rrugë e hapur dhe krijon qasje për të gjithë, përfshirë edhe për bizneset.
Ai uroi që ky projekt të mos pengohet në mënyrë që të vazhdohet me procedura të tjera e më pas Gjakova të nisë edhe projektet e tjera infrastrukturore.
Ndryshe, segmenti i parë i rrugës ka një gjatësi prej 2.1 kilometra, gjerësi prej 29 metra ndërsa afati i ndërtimit është 180 ditë nga dita e nisjes së punimeve. /radiogjakova/