.
Published On: Tue, Mar 13th, 2018

Qentë endacakë, Gjini: Po ndjekim procedurat për të hapur rezervat

Share This
Tags

Qentë endacakë po vazhdojnë të sfidojnë institucionet lokale e qendrore. Derisa në Prishtinë po organizohen tryeza e po hartohen strategji për të zgjidhur këtë problem, qytetarët vazhdojnë të ndjehen të kërcënuar nga prania e tyre në rrugë.

Të njëjtin shqetësim e kanë edhe gjakovarët. Në Stacionin Policor të Gjakovës thonë se këtë vit ka më shumë qenë endacak se vitin e kaluar, ndërsa kjo po i sfidon në aspektin e sigurisë.

Gjatë mbledhjes së Këshillit për Siguri, komandanti Kristë Gjokaj tha se nuk kanë ndonjë projekt të caktuar në lidhje me qentë endacak pasi këto bëhen në koordinim me Komunën e Gjakovës.

Kryetari Ardian Gjini thotë se qentë endacakë janë problem serioz, por shtoi se plani i tij është të kemi rezervat të qenve dhe maceve.

Gjini theksoi se ky plan ka kosto, por nuk dyshon në mbështetjen e partive të tjera kur projekti i tij të paraqitet në Asamble. Sipas tij, jeta e një fëmije nuk vihet përpara asnjë lloj kostoje.

Gjini deklaroi se e vetmja arsye pse Komuna nuk po merret menjëherë me këtë çështje janë procedurat ligjore të cilat po ndiqen me kujdes.

Kreu komunal e pranoi që numri i qenve endacakë është rritur. Ai thotë  se disa Komuna kanë hapur tenderë për largimin e qenve dhe kompanitë fituese i kanë marrë dhe i kanë dërguar në komuna të tjera, përfshirë edhe në Gjakovë./radiogjakova/