Qeveria ndihmon familjarët e shtëpive të djegura
Gjakovë- Disa muaj pasi u dogjën katër shtëpi në lagjen Sefë, shtëpi të cilat u përkisnin qytetarëve të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptas, Qeveria e Kosovës ka vendosur t’u ndihmojë atyre në ngritjen e shtëpive të reja.
Ministria për Kthim dhe Komunitete ka siguruar materialin ndërtimor, i cili tashmë ka arritur në lagje. Dorëzimin e këtij materiali e ka bërë zëvendës-ministri i Kulturës Gani Elshani, i cili në fakt edhe ka qenë iniciatori për dhënien e këtyre ndihmave.
Ai ka bërë të ditur se herën e parë është siguruar materiali ndërtimor për dy shtëpi, ndërsa brenda pak ditësh do të vijë edhe materiali për dy shtëpitë tjera. E për këtë donacion, falënderues janë shprehur edhe kryefamiljarët të cilët tash e sa muaj po jetojnë në kontejnerë, në kushte mjaft të vështira.
Fadil Podrimja, njëri nga kryefamiljarët ka thënë se ata kanë nevojë edhe për ndihma tjera, sepse zjarri u ka shkatërruar gjithçka që kanë pasur dhe bashkë me familjet e tyre po jetojnë vetëm me rrobat e trupit. Ai ka kërkuar nga komuna e Gjakovës që pas sigurimit të materialit tu ndihmojë edhe në ndërtimin e shtëpive, fillimisht duke nisur nga pastrimi i gërmadhave./radiogjakova/