Radio Gjakova kujton datën famëkeqe të 5 korrikut 1990
Në kalendarin e ngjarjeve të rëndësishme që kanë përcjellë Radio Gjakovën në punën e saj gati 40-vjeçare, është dhe data famëkeqe e 5 korrikut 1990.
Dhjetëra policë serbë të armatosur deri në dhëmbë, në mesditën e datës 5 korrik të vitit 1990, kishin mbushur lokalet e Radio Gjakovës dhe si të tërbuar, dëbuan me dhunë nga lokalet punëtorët, të cilët me përkushtimin dhe djersën e tyre kishin ndërtuar një medium të rëndësishëm informativ dhe argëtues.
Ata ndërprerë dhunshëm programin e radios, nxorën në rrugë të gjithë punëtorët shqiptarë, ndërsa programi shqip për 9 vitet e ardhshme do të zëvendësohej me atë të propagandës serbe.
Po ashtu, 27-vite më parë forcat të mëdha policore pushtuan dhunshëm edhe Radiotelevizionin e Prishtinës, të vetmin televizion publik shqiptar.
Ndërhyrja e forcave policore serbe erdhi vetëm 3 ditë pas shpalljes së Deklaratës së 2 Korrikut nga delegatët e Kuvendit të Kosovës.
Më pas erdhën edhe masat e dhunshme që u vendosen në të gjitha ndërmarrjet shoqërore dhe nga vendet e punë së tyre u larguan qindra-mijëra shqiptarë.
Zëri i Radio Gjakovës kumboi sërish më 14 Qershor 1999, si lajmëtarja e parë e lirisë në Kosovë, për të qenë në shërbim të dëgjuesve në të gjitha trojet shqiptare./radiogjakova/