Rama në Gjakovë, i impresionuar nga projekti i Mimozës
Gjakovë- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka nisur vizitën e tij në Kosovë. Ndalesa e parë e Ramës ishte në Gjakovë ku zhvilloi një takim me kryetaren e kësaj komune, Mimoza Kusari-Lila, me të cilën diskutoi për projektin e Alpeve si pjesë e ofertës turistike.
Rama thotë se është i impresionuar nga projekti të cilin e ka prezantuar Kusari-Lila para tij, por që nuk janë dhënë detaje se për çfarë projekti konkret bëhet fjalë.
Ndërkaq, kryetarja e Gjakovës, Kusari-Lila, ka thënë se me Ramën kanë diskutuar gjerë-e-gjatë për projekte të ndryshme të përbashkëta ekonomike, transmeton Koha.
“Qytetari i nderit i Komunës së Gjakovë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e nderoi Gjakovën sot me prezencën e tij në rrugëtimin e tij për në Pejë. Biseduam për Eko Zonën, Zonën e lirë ekonomike të Gjakovës dhe brendimin e produkteve të përbashkëta. Me Kryeministrin Rama do vazhdojmë diskutimet për projektet e përbashkëta”, ka thënë Kusari-Lila në Facebook.
Më vonë, Rama ka vizituar edhe komunën e Pejës në një takim më biznismenët.










