Reagon VV në lidhje me bustin e Fadil Hoxhës
Gjakovë- Përmes një reagimi drejtuar medieve Lëvizja Vetëvendosje! Qendra në Gjakovë ka shprehur dëshirën të qartësojë para opinionit qëndrimin e saj të mbajtur në mbledhjen e Asamblesë komunale, në lidhje me pikën e rendit të ditës që kishte të bënte me caktimin e lokacionit për vendosjen e shtatores së Fadil Hoxhës.
Sipas tyre, raportimet e medieve ishin tendecioze dhe nuk ishin të bazuara në argumentimin e VV-së për këtë çështje. “Përderisa dy partitë tjera, PDK dhe AAK, kërkuan largimin e kësaj pike nga rendi i ditës, e para duke vlerësuar figurën e Fadil Hoxhës dhe tjetra duke votuar kundër një iniciative që vetë e kishte iniciuar një vit më parë, qëndrimi i asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! është tërësisht parimor dhe ka në vëmendje qasjen e gabuar të vlerësimit të figurave historike”, thuhet në reagim.
Më poshtë mund ta lexoni qëndrimin e grupit të Asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! në mbledhjen e Kuvendit Komunal dhe të cilën portali i Radio Gjakovës do ta publikojë në tërësi pa ndonjë ndërhyrje./radiogjakova/
Lufta Nacional Çlirimtare ka qenë e drejtë dhe ne çmojmë përpjekjen dhe rezistencën antifashiste për çlirim, vetëvendosje dhe bashkim, gjatë së cilës kanë rënë shumë dëshmorë. Fadil Hoxha dhe secili prej pjesëmarrësve të tjerë në këtë përpjekje duhet ta kenë nderimin e merituar.
Ne mendojmë se trajtimi institucional i figurave dhe periudhave të ndryshme historike duhet të jetë rezultat i një debati gjithëpërfshirës shkencor, politik, kombëtar e shoqëror të bërë si nga ekspertët e fushës ashtu edhe nga shoqëria në përgjithësi. Në këtë mënyrë vendimet do të ishin të mirë peshuara dhe do të shmangeshin diskutimet që do të mund të vinin nga ndonjë vendim i ngutshëm.
Arsyet tona janë parimore dhe kanë të bëjnë me procesin e vendimmarrjes gjatë vlerësimit që Komuna bën me qëllim të nderimit të figurave historike dhe kombëtare.
Vendimi për ngritjen e shtatores së Fadil Hoxhës dhe dy personaliteteve tjera është bërë në mandatin e qeverisjes së kaluar pa kaluar nëpër një diskutim publik që mendojmë që është i domosdoshëm. Duke pasur parasysh që vendimi u mor në një vit elektoral, mendojmë se një nderim i tillë i shpejtë dhe pa debat u bë më tepër për arsye elektorale dhe nuk ka të bëjë me vlerësim të drejtë dhe nderim të këtyre figurave.
Qeverisja aktuale po e vazhdon një qasje të tillë. Përgjatë këtyre dy muajve, me procedurë të shpejtë dhe duke bërë shkelje procedurale, pa bërë pothuajse asnjë diskutim publik u nderuan dhe u shpërndanë shumë mirënjohje për personalitete të ndryshme. Këto vendime vinin direkt nga kryetarja e Komunës duke anashkaluar kështu kompetencat e Asamblesë komunale.
Ne mendojmë se edhe përcaktimi i lokacionit për vendosjen e shtatores, duhet të kalojë një debat publik me ekspertë dhe qytetarë. Anashkalimi i debatit për të tilla raste nga qeverisja e kaluar ka shkaktuar përçarje në qytet. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për numrin e shtatoreve në qytet, të vendosura pa asnjë plan të bazuar në kritere profesionale. Ne jemi të sigurt se Komuna e Gjakovës ka një numër shumë të madh të personaliteteve që meritojnë të nderohen institucionalisht andaj jemi për një zgjidhje tjetër më gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese apo përçarëse. Ne jemi që këtyre figurave t’u bëhen nderime të përbashkëta duke mënjanuar sa më shumë nderimet e personaliteteve të veçantë.
Një çështje tjetër e cila gjithashtu është shqetësuese dhe aspak përparimtare është tendenca e nderimit të dëshmorëve dhe veprimtarëve në baza krahinore e lokaliste. Kjo qasje është në kundërshtim me idealet dhe vlerat për të cilat ata kanë vepruar e luftuar. Ato janë vlera përbashkuese e përparimtare dhe jo përçarëse e lokaliste. Kjo qasje primitive i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë shumë keq qytetit tonë prandaj jemi të vendosur ta kundërshtojmë çdo manifestim të saj.










