.
Published On: Wed, Feb 14th, 2018

Regjistrimi pa gjoba i automjeteve, shtohet fluksi në Qendrën e Gjakovës

Share This
Tags

Pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme i cili ka hyrë në fuqi me 15 dhjetor përmes të cilit gjatë tre muajve pas marrjes se këtij vendimi, pronarët e automjeteve do të mund t’i regjistrojnë si dhe ti çregjistrojnë automjetet e tyre pa paguar kurrfarë dënimi paraprak, është rritur fluksi i qytetarëve në qendrën e regjistrimit të Automjeteve në Gjakovë.

Ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, Flamur Lila, njoftoi se qytetarët deri me 15 mars mund të regjistrojnë pa kurrfarë penaliteti automjetin e tyre, pavarësisht se ka kaluar një muaj apo me shume nga mos regjistrimi i tyre vjetor.

Përpos kësaj me këtë vendim gjatë periudhës në fjalë, qytetarët pa kurrfarë dënimi mund t’i kthejnë tabelat e automjeteve të tyre, të cilat për shumë vite nuk i kanë ç’lajmëruar.

Nisur nga kjo mundësi e krijuar që automjetet e tyre t’i regjistrojnë pa kurrfarë dënimi, gjatë muajit janar të vitit 2018, në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Gjakovë janë regjistruar gjithsej 210 automjete, numër ky shumë fish më i madh se në janarin e vitit 2017, kur numri i automjeteve të regjistruara ishte 66.

Sipas udhëheqësit Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Gjakovë, Lila, gjatë janarit të këtij viti, është rritur shumë edhe numri i automjeteve të  ç’lajmëruara, gjithsej 254 të tilla ndërkohë që gjatë janarit të vitit 2017 numri i automjeteve të ç’lajmëruara ka qenë 167./radiogjakova/