Rënia e lindshmërisë vijon edhe në vitin 2017
Trendi i uljes së natalitetit në komunën e Gjakovës ka vijuar edhe gjatë vitit 2017. Gjatë 12 muajve të këtij viti, sipas sektorit të Gjendjes Civile, në total ka pasur të regjistruar 2860 lindje, 44 më pak se viti 2016.
“Prej këtij numri, 2005 lindje kanë ndodhur në komunën e Gjakovës, ndërsa 855 të tjera jashtë vendit, por që prindërit kanë vendosur t’i regjistrojnë fëmijët edhe në vendlindjen e tyre”, ka thënë Zyrtarja e lartë në sektorin e gjendjes civile në Kuvendin Komunal të Gjakovës, Teuta Vokshi.
Interesant është fakti se përkundër numrit në rënie të lindjeve, ai i martesave është gjithnjë në rritje. Gjatë këtij viti ka pasur në total 1345 martesa, mbi 100 më shumë se viti 2016.
Prej këtij numri, 1060 lidhje dashurie janë kurorëzuar në martesë në Gjakovë, ndërsa 285 të tjera jashtë vendit, por që çifti ka vendosur të regjistrohet edhe në Komunën e Gjakovës.
Ajo që bie në sy është edhe rënia e martesave mes qytetarëve të Gjakovës dhe atyre me shtetësi të huaj. Gjatë 2017-ës ka pasur 495 martesa me elementë të huaj, 66 më pak se viti i kaluar.
Në rastin e këtyre martesave, më shumë janë meshkujt që zgjedhin të martohen me bashkëshorte të huaja, në 267 raste të regjistruara, ndërsa rastet kur femrat nga Gjakova zgjedhin një bashkëshort të huaj janë 228.
Edhe numri i vdekjeve është rritur këtë vit, krahasuar me një vit më parë. Gjatë kësaj periudhe 780 persona kanë ndërruar jetë, 43 më shumë se në vitin 2016. /radiogjakova/