Rifillojnë punimet në kompleksin memorial në Mejë
Kanë nisur punimet intensive në rregullimin e kompleksit memorial te martirëve në Mejë të Gjakovës.
Projekti i memorialit për masakren më të madhe në Kosovë, asaj të Mejës edhe pse i nisur para dhjetë viteve kishte ngelur i pa realizuar. Krejt çka është bërë kanë qenë punë periferike të cilat janë realizuar me mjete të Komunës së Gjakovës.
Kjo ngecje shumë herë ka krijuar pakënaqësi tek familjarët e viktimave që janë varrosur në këtë lëndin që vendasit e kanë quajtur “Lëndina e pikëllimit”.
Mirëpo këtë vit Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 300 mijë euro për ndërtimin e këtij kompleksi, të cilat nuk janë të mjaftueshme për realizmin e projektit i cili kushton rreth 1 million euro.
Sipas Engjëll Berisha, përfaqësues i shoqatës “27 prilli-Mejë”, punët po shkojnë sipas planit dhe pritet që të përfundojnë në muajin shtator. Ai tha se shpejt pritet të përfundojë ndërtimi i varrezave me mermer dhe të vijohet me fazën tjetër të projektit./radiogjakova/