.
Published On: Wed, Jul 9th, 2014

Rregullohet varri të heroit Sulejman Vokshi

Share This
Tags
varri-svokshi1
 
Tre qytetarë të Gjakovës janë bërë bashkë dhe kanë investuar për rregullimin e varrit të heroit Sulejman Vokshi, njërit prej figurave më emblematike të historisë së popullit shqiptar. Ka disa vjet që ky varr, që gjendet në parkun e lirisë në lagjen Gecë, ishte harruar në tërësi nga institucionet shtetërore, qendrore e lokale, dhe kjo kishte nxitur organizimin dhe reagimin qytetar, të Florent Ukmatës, Kujtim Perteshanit dhe Korab Lleshit.
 
Lleshi i cili në fakt edhe e ka bartur barrën kryesore financiare, ka thënë se lënia në harresë e këtij varri nga institucionet dhe vlera e figurës së Sulejman Vokshit, i ka nxitur ata që të investojnë në rregullimin e varrit dhe ambientit për rreth.  Nga ana tjetër, Florent Ukmata, njëri nga iniciatorët e këtij akti dhe një ish – luftëtar i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se institucioneve tona në të shumtën e rasteve u mungon iniciativa për të bërë një punë të mirë dhe në dobi të shoqërisë, ndërsa të vetmin arsyetim e kanë tek mungesa e mjeteve financiare.
 
Ata kanë bërë të ditur se punimet për rregullimin e varrit ende nuk kanë përfunduar, sepse përveç pllakës së mermertë, aty do të rregullohet edhe ambienti për rreth, me ç’rast synohet të bëhet një park dhe një vend pushimi për qytetarët e Gjakovës.