.
Published On: Fri, Apr 25th, 2014

Rrënohet aneksi i “Rognerit”, pronari: Komuna po dëmton bizneset

Share This
Tags

rogneri-Gjakovë- Ashtu siç është vendosur ditë më parë nga kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, inspektoriati komunal ka filluar të premten aksionin për lirimin e hapësirave publike të uzurpuara për vite më rradhë. Ky aksion ka filluar me rrënimin e e një aneksi  prej 30 metrash katrorë të ndërtuar tash e disa vjet nga restoranti “Rogner”, me pronar Blerim Godeni, aneks i cili pos faktit se e kishte zënë plotësisht hapësirën publike – trotuarin, është ndërtuar edhe pa leje dhe pa pëlqimin e drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinorë.

I pranishëm në këtë aksion, drejtori komunal i Inspeksionit Mentor Sylmeta, ka thënë se komuna është e vendosur ta çojë deri në fund këtë aksion, duke i liruar të gjitha hapësirat e uzurpuara në qytetin e Gjakovës. “Ky është aksioni i parë, por ne do të vazhdojmë edhe ditëve në vazhdim me aksione të tilla. Tashmë e kemi një listë, të cilën edhe jemi duke e freskuar çdo ditë dhe jemi të vendosur të shkojmë deri në fund, deri në lirimin e të gjitha hapësirave publike”, ka thënë drejtori Sylmeta.

Nga ana tjetër, pronari i aneksi të rrëzuar, Blerim Godeni, e ka pranuar se kjo pjesë është ndërtuar pa leje dhe në pronë publike, por ka shprehur pakënaqësinë e tij për afatin e shkurtër të njoftimit dhe për pamundësinë për ankesë. “Para tre ditësh më ka ardhur njoftimi për rrënim. E edhe më keq se kjo është fakti se nuk po respektohet afati për ankesë që është 30 ditë”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se me këtë veprim, komuna është duke i dëmtuar bizneset lokale. “Në këtë krizë çfare jemi, unë po dëmtohem si biznes, sepse disa njerëz hanë bukë nga ky lokal. Tash nuk më ka mbetur asgjë tjetër, pos t’i dorëzoj çelësat tek kryetarja e komunës, sepse biznesi im realisht ka falimentuar”, ka shtuar ai.

Por, të gjitha pretendimet e Godenit janë hedhur poshtë nga drejtori i inspeksionit Mentor Sylmeta, i cili ka konfirmuar se në këtë rast është vepruar duke u bazuar në ligj. “Zyrtarisht e kemi njoftuar pronarin me datën 14 ashtu si e parasheh Ligji, ndërsa për herë të fundit e kemi lajmëruar tre ditë më parë. Pronari ka të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh, por ankesa kundër aktvendimit për rrenim nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit”, ka thënë Sylmeta.