.
Published On: Thu, Feb 19th, 2015

Rreth 70 mijë euro për shërime jashtë vendit

Share This
Tags

spital-shtratKomuna e Gjakovës, konkretisht Drejtoria komunale e Shëndetësisë ka ndarë 70 mijë euro për subvencionimin e e qytetarëve për shërim jashtë vendit. Ndonëse ky fond është rritur për 20 mijë euro nga viti i kaluar, megjithatë zyrtarët e kësaj drejtorie e pranojnë se kjo shumë as për së afërmi nuk i plotëson kërkesat dhe nevojat e qytetarëve që vuajnë nga sëmundje të rënda, kryesisht sëmundje malinje, që edhe janë sëmundje që do të trajtohen nga ky fond.

Në drejtorinë e Shëndetësisë kanë thënë se janë duke pranuar kërkesa të shumta për ndihmë financiare, ndërsa përzgjedhja e atyre që do t’i gëzojnë këto mbështetje do të përbëhet nga një komision pesë anëtarësh. Sipas tyre, komisioni do tu japë përparësi personave me gjendje të rëndë ekonomike dhe atyre me sëmundje të rënda, siç janë sëmundjet malinje.

Ndryshe, ekspertë të kësaj fushe kanë vlerësuar se zgjidhja përfundimtare për ndihmë personave me sëmundje të rënda do të ishte vetëm miratimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore, sepse me fonde të tilla është pothuajse e pamundur të ndihmohen të gjithë ata që kanë nevojë për shërim jashtë vendit. Ndryshe, vitin e kaluar nga fondi prej 50 mijë eurosh kanë përfituar rreth 300 qytetar, aq sa pritet të përfitojnë edhe sivjet./radiogjakova/