.
Published On: Sat, Feb 10th, 2018

Serbët apel ndërkombëtarëve: Na krijoni kushte për të vizituar Gjakovën

Share This
Tags

E ashtuquajtura Shoqata e të zhvendosurve të Gjakovës ka deklaruar se serbët e zhvendosur nga Gjakova nuk po mund të vizitojnë vendlindjen e tyre.

“Pas 19 vjetëve, serbët e zhvendosur nga Gjakova nuk janë në gjendje të ndezin qirinj për paraardhësit e tyre në varrezat e Piskotës dhe Gjakovës”, thuhet në deklaratë duke shtuar se “u krijua një atmosferë e frikësimit, urrejtjes dhe akuzave të rreme”.

Kjo shoqatë kërkon prej institucioneve ndërkombëtare t’ju sigurohet e drejta e lirisë së lëvizjes dhe siguri.

“Duam siguri për të vizituar vendet tona të shenjta në festat fetare”, shkruan më tutje në deklaratën e shoqatës serbe.

Kujtojmë se para disa javëve të zhvendosurit kishin paralajmëruar një vizitë në qytetin e Gjakovës në prag të Krishtlindjeve ortodokse, por për shkak të protestës së shoqërisë civile, ajo ishte anuluar.

Po ashtu, të njëjtit kishin dorëzuar në Prokurorinë e Gjakovës një aktakuzë për krime lufte kundër ish-kryetarit të Gjakovës dhe president i Shoqatës së qytetarëve të zhvendosur, Djokic Stojanoviç.