Shatërvani do rregullohet në pranverë
Shatërvani në parkun qendror të qytetit, e vendosur aty si element dekorues, tashmë është duke dhënë imazh krejt të kundërt. Me gjendjen në të cilën është, ajo tashmë po ndikon që kësaj pjese të qytetit t’i japë pamje mjaft të keqe dhe tmerruese.
Ndonëse u rinovua 5 vjet më parë, renovim i cili u tha se ka kushtuar rreth 30 mijë euro, ky objekt është shkatërruar vetëm pak kohë pas renovimit. Fillimisht nga aty u vodhën pjesët metalike, kabllot dhe mbi të gjitha edhe i tërë bakri e logo e komunës. Brendia e shatërvanit filloi të dëmtohej dhe dalë ngadalë të mbushej edhe me mbeturina.
Kështu, që nga ajo kohë, rreth 4 vjet më parë, shatërvani që u mendua se ishte më i bukuri në Kosovë, u kthye në shëmtinë e parkut dhe qytetit të Gjakovës. E gjendja e tij duket se i ka shqetësuar edhe subjektet përkatëse në komunë.
Zyrtarët e saj thonë se paratë ishin siguruar dhe shatërvani ishte planifikuar të rregullohet disa muaj më parë, por kanë qenë papërgjegjësitë e disa kompanive që kanë bërë të anulohet tenderi dhe e kanë shtyrë këtë projekt. Sipas tyre, ai dhe i gjithë parku do të rregullohen sërish deri në pranverë./radiogjakova/