Shëndetësi, 40 mijë euro subvencione
Gjakovë- Qeveria komunale në Gjakovë, në mbledhjen e fundit të Bordit të Drejtorëve ka marrë vendim për fillimin e ndarjes së subvencioneve për pacientë të komunës sonë, me sëmundje të renda e të cilët për shkak të gjendjes së vështirë sociale dhe ekonomike, nuk mund t’i përballojnë shpenzimet e trajtimit të domosdoshëm mjekësor.
Me këtë rast Basri Komoni, drejtor i Drejtorisë komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjakovë është bërë paraqitja e listës të komisionit pesë-anëtarësh për ndarjen e subvencioneve për pacientë. Sipas drejtorit Komoni, ky komision është formuar në bazë të rregullores përkatëse dhe përbërja e tij ka qenë gjithë-përfshirëse.
Sipas tij, nga sasia e përgjithshme për subvencione në shumë prej 40 mijë euro, me vlera të ndryshme, prej 100 deri në 400 euro do të përfitojnë 150 pacientë. Kur është fjala tek mbështetja financiare për kategori të ndryshme të qytetarëve, në debatin e zhvilluar më pas, kryesuesi i asamblesë komunale në Gjakovë, Luan Gola, specialist për sëmundjen e diabetit, ka prezantuar shqetësimin e tij lidhur me situatën e krijuar në ministrinë e shëndetësisë, kur është fjala tek sigurimi i insulinës për fëmijë, meqë ndarja e këtij medikamenti është bllokuar tash e 6 muaj.
Lidhur me këtë, ka reaguar, kryetarja e komunës së Gjakovës, e cila është zotuar se kjo çështje duhet të trajtohet në mënyrë adekuate, në mënyrë që edhe kësaj kategorie të fëmijëve t`ju dilet në ndihmë./radiogjakova/










