Shënohet Dita Botërore e Autizmit në Gjakovë
Të hënën u shënua Dita Botërore e Autizmit. Këshilli i Nxënësve të Gjakovës së bashku me Këshillin për Veprim Rinor, në sheshin “Nëna Terezë”, kanë organizuar një aktivitetet simbolik senzibilizues.
Përmes shitjes së ëmbëlsirave, pikturave dhe aksesorëve të ndryshëm, synuan që të ndihmojnë këtë pjesë të shoqërisë, pasi që të gjitha mjetet e mbledhura do të dedikohen për këta fëmijë.
Sipas Buna Perteshoni, kryetare e Këshillit të Nxënësve, kësaj iniciative i janë bashkuar shumë nxënës të cilët kanë ndihmuar në jetësimin e këtij projekti.
Në kuadër të këtij aktiviteti senzibilizues, përveç shitjes së punimeve, një pemë e qytetit është dekoruar me thënie vetëdijsuese për autizmin.
Dita Botërore e Autizmit, 2 prilli, është caktuar nga OKB-ja për rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës rreth këtij çrregullimi bio-neurologjik të trurit.
Autizimi është një çrregullim ende jo shumë i njohur, ndaj specialistët thonë se trajtimi i tij duhet të kthehet në prioritet të politikave shëndetësore dhe sociale bashkë me më tepër vëmendje ndaj fëmijëve që preken nga kjo sëmundje./radiogjakova/