Shënohet Dita e të Zhdukurve në Gjakovë
Të mërkurën në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, shoqata “Thirrjet e nënave”, organizoi homazhe në Kompleksin Memorial të Martirëve në Kodrën e Çabratit.
Me këtë rast, familjarë, zyrtarë komunalë të prirë nga nënkryetari Vokshi, deputetët e Kuvendit, Mimoza-Kusari-Lila, Driton Çaushi, përfaqësues të partive politike të Vetëvendosjes, AKR e Alternativa, përfaqësues të shoqatave si dhe qytetarë të tjerë bënë homazhe në këtë ditë të dhembjes dhe përkujtimit për të gjithë të dashurit, e rrëmbyer dhe të zhdukur në luftën e fundit.
Kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nesrete Kumnova, tha se familjarët e personave të pagjetur nuk do të pajtohen asnjëherë me zvarritjen e procesit të zbardhjes së fatit të më të dashurve të tyre.
“Në këtë kompleks -shtoi Kumnova- ka varre të hapura që presin që ti sjellim eshtrat e më të dashurve tanë të cilëve ende nuk u dihet vendi se ku ndodhen”.
Në fund, Kumnova iu kërkoi familjarëve të të pagjeturve që të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos dorëzohen deri në zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur, ndërsa kundërshtoi edhe njëherë themelimin e Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur./radiogjakova/