Shkolla pa dhunë, projekti që përfshin 5 shkolla të Gjakovës
Në kuadër të projektit “Promovimi dhe krijimi i shkollave pa dhunë”, të enjten është bërë nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit me Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Gjakovës dhe pesë shkollave të përzgjedhura.
Ky projekt po implementohet nga organizata “Mundësia” nga Mitrovica. Drejtoresha e kësaj organizate Hasime Tahiri Hasani, tha se ky projekt ka për synim të kontribuojë në ngritjen e ndërgjegjësimit të prindërve dhe publikut mbi pasojat negative të dhunës ndaj fëmijëve për të gjitha komunitetet.
Projekti i cili ka një shtrirje në komunat e Gjakovës, Gjilanit dhe Dragashit, është përkrahur nga UNICEF-i. Përfaqësuesja e kësaj organizate Dafina Zuna gjatë kësaj ceremonie ka treguar arsyet që kjo organizatë ka mbështetur këtë projekt duke shtuar se një nga detyrat e UNICEF është edhe studimi i praktikave, njohurive dhe perceptimeve të ndryshme që ka popullata karshi temave të ndryshme.
Ky projekt do të realizohet në pesë shkolla të komunës së Gjakovës “Yll Morina”, “Mustafa Bakija”, “Emin Duraku” e “Zekiria Rexha” në qytet si dhe shkollën “Durak Ahmeti” në Demjan.
Drejtoresha e Arsimit, Diana Qarkaxhija ka thënë se nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit do të bëhen pjesë e projektit që mëton të ndërtojë një shkollë pa dhunë./radiogjakova/