Shkollat e Gjakovës s’kanë probleme me naftën
Gjakovë- Pas alarmimit për cilësinë e naftës që përdoret për ngrohje dhe pas mbylljes për disa ditë të shkollave në Prishtinë, në drejtorinë komunale të arsimit në Gjakovë, thonë se komuna jonë asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk ka probleme të tilla.
Siç bëjnë të ditur zyrtarët e kësaj drejtorie, në Gjakovë janë gjithsejtë 18 institucione arsimore që e përdorin naftën për ngrohje. Prej tyre 12 e përdorin rregullisht, ndërsa 6 të tjera naftën e kanë si alternativë, sepse burim primar për ngrohje e kanë ngrohtoren e qytetit.
Këto shkolla furnizohen nga një kompani me kontratë vjetore, e cila kontratën e fundit e ka nënshkruar në muajin tetor 2013. Zyrtarja në drejtorinë e Arsimit, Dardane Riza, ka bërë të ditur për Radion Gjakovën se deri më tani këto shkolla në komunën e Gjakovës asnjëherë nuk kanë pasur probleme me furnizimin dhe cilësinë e naftës, prandaj edhe nuk ka vend për shqetësim për ndonjë rrezik eventual./radiogjakova/