Shkollave të Gjakovës u mungojnë mbi 300 nxënës
Aktualisht në shkollat fillore dhe të mesme të komunës së Gjakovës mungojnë 320 nxënës. Të gjithë këta mendohet se e kanë braktisur shkollimin për shkak të migrimit ilegal. Këto shënime janë bërë të ditura nga Drejtoria komunale e Arsimit, të cilët kanë shtuar se nga numri i përgjithshëm, janë 142 femra dhe 178 meshkuj, që tash e sa muaj nuk po e vijojnë procesin mësimor.
Megjithatë, mendohet se jo i tërë ky numër janë të ikur nga vala e fundit e migrimit. Kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila ka thënë se këta fëmijë që e kanë braktisur shkollimin, kanë ikur nga Gjakova në valën e parë të migrimit, rreth 5 apo 6 muaj më parë. Sipas saj, tash në valën e madhe të ikjeve, e cila e ka përfshirë tërë Kosovën, fatmirësisht nuk ka shumë të ikur nga komuna e Gjakovës.
Ndryshe, sipas zyrtarëve komunal, ky numër i nxënësve kryesisht vijnë nga komunitetet pakicë, Rom, Ashkali dhe Egjiptas, por edhe nga disa fshatra të komunës, siç janë Hereqi dhe Skivjani./radiogjakova/