.
Published On: Mon, Mar 26th, 2018

Shpërblim për denoncuesit, plani i Komunës kundër atyre që hedhin mbeturina në rrugë

Share This
Tags

Pastrimi i qytetit mbetet një nga sfidat e administratës komunale. Edhe pse thuhet se po pastrohet, rezultatet në terren nuk janë të kënaqshme. Komuna për këtë bën fajtor personat e pandërgjegjshëm të cilët vazhdojnë të hedhin mbeturina.

Kryetari i Komunës, Ardian Gjini, këto ditë shpalosi një tjetër ide për të ndaluar këta persona. Ai thotë se së shpejti mund të ftojë të gjithë qytetarët të denoncojnë me foto dhe video të gjithë ata që hedhin mbeturina dhe t’i shpërblejë.

Saktësisht, vlera e gjobës që merr personi që ka hedhur mbeturina t’i jepet denoncuesit.

“Sot të gjithë kanë një celular të mençur dhe mund të bëjnë foto. Po shohim mundësitë që këta që sjellin fotot t’i shpërblejmë. Pra, sa është vlera e gjobës t’ia japim menjëherë atij që denoncon”, tha ai.

Sipas Gjinit, Komunës nuk i interesojnë paratë, por që qyteti të jetë i pastër. Ai theksoi se ende nuk mund të marrin një vendim të tillë pasi po konsultohen me ligjin nëse i lejon një gjë të tillë.

Gjini përmendi edhe punën e deritashme. Ai tha se kanë ndarë qytetin në disa zona ku secila prej tyre është pastruar nga kompania “Çabrati” dhe ka inspektuar vetë punët.

Por, njëkohësisht është bërë dëshmitar se ajo mbushet me mbeturina aq shpejtë pasi nuk mirëmbahet nga banorët e këtyre zonave. Si ndëshkim, ai tha se ka urdhëruar kompaninë “Çabrati” që të mos pastrojë ato zona deri në një urdhër të dytë. /radiogjakova/