.
Published On: Tue, Feb 13th, 2018

Shpronësimi milionësh, Tafarshiku: U inicua për të parandaluar tjetërsimin e pronës

Share This
Tags

Gjatë konferencës së tij të fundit mbi gjendjen financiare të Komunës së Gjakovës, kryetari Ardian Gjini u deklarua në lidhje me procesin e shpronësimit gjatë administratës së kaluar.

Ai përmendi një rast, atë të shpronësimit të pronës te Kulla e Sulejman Vokshit, që sipas tij, në vlerësimin e parë ka kapur shifrën e 1 milionë e 191 mijë euro.

Gjini tha se administrata e kaluar nuk kishte ndarë mjete shtesë ose nuk kishte ndonjë projekt se çfarë do të ndodhë pas këtij shpronësimi milionësh.

“Nuk kemi pasur shumë shpronësime, por ka qenë një te Kulla e Sulejman Vokshit që kap vlerën e 1 milion e 191 mijë euro në vlerësimin e parë, pra kjo shumë mund të rritet. Nuk është e qartë pse po shpronësohet sepse Komuna nuk ka të buxhetuar ose nuk ka ndonjë projekt se çfarë do të ndodhë pas shpronësimit” kishte deklaruar Gjini, duke kujtuar se në total buxheti për shpronësime është në vlerën e 1 milion e 800 mijë eurove.

Por, ish-këshilltari i kryetares Kusari-Lila, tani sekretar në degën e partisë Alternativa në Gjakovë, Ali Tafarshiku, tha se ky shpronësim është iniciuar për të ndaluar tjetërsimin e kësaj prone.

Sipas tij, familjet e kanë nxjerrë në shitje Kullën, ndërsa objektet e trashëgimisë kulturore meritojnë kujdes nga institucionet lokale e qendrore.

Tafarshiku shtoi se vlerësimin për Kullën dhe hapësirat përreth e ka bërë Departamenti i Pronës në Ministrinë e Financave dhe Komisioni i Trashëgimisë Kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës.

“Kuvendi Komunal i Gjakovës me iniciativën e ish-kryetares Kusari-Lila, e ka shpallur interesin e veçantë për këtë kullë, në mënyrë që të parandalohet shitja dhe si pasuri e trashëgimisë kulturore të merr trajtimin e mirëfilltë institucional. Vlera e përcaktuar për shpronësim nuk është vlerë që e ka përcaktuar Komuna, kurse pronarëve i mbetet të pajtohen ose mos të pajtohen me këtë vlerësim”, tha Tafarshiku.

Ai tha se administrata e kaluar ka dërguar me dhjetëra shkresa për ndihmë në shpronësim drejt Ministrisë së Kulturës dhe përgjigjet negative të këtij institucioni janë në arkivin e Komunës.

Tafarshiku shtoi se gjendja e objektit të Kullës është e rëndë, prandaj ka ftuar administratën aktuale që të gjejë një zgjidhje për ato familje që jetojnë pasi janë në kushte të vështira./radiogjakova/