Shuhet poeti Halil Haxhosaj
Poeti i njohur, Halil Haxhosaj, ka mbyllur sytë përgjithmonë të hënën në moshën 70-vjeçare. Haxhosaj ishte krijues i shquar, autor i dhjetëra librave me poezi e prozë, kritik letrar, bashkëpunëtor dhe redaktori gjuhësor i shumë revistave.
Radio Gjakova mbeti pa bashkëpunëtorin e denjë i cili me mendimet, analizat e kritikat ishte në shërbim të dëgjuesit. Mediumi ynë i dërgon ngushëllimet më të sinqerta familjes Haxhosaj.
Në akademinë përkujtimore, kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ngriti lart figurën e Haxhosajt duke thënë se i ndjeri ia dedikoi tërë qenien e tij mësimdhënies së gjuhës shqipe, edhe në kohërat më të errëta për Kosovën.
“Fjalëpak, kurioz dhe modest, i pandalshëm dhe i palodhshëm, energjik dhe durimtar, Halil Haxhosaj do të ketë vendin meritor në fushën e krijimtarisë letrare, si formë dhe mënyrë e depërtimit në çdo cep të lexuesit shqiptar dhe më gjerë, për t’u bërë përherë i kujtueshëm, mu për shkak të veprave të tij”, u shpreh Kusari-Lila.
Gentiana Muhaxhiri nga klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” vlerësoi kontributin e Haxhosajt, jo vetëm për të arriturat në letërsi, por edhe për organizimin tradicional të mitingut të poezisë që mbahet në Gjakovë.
Ngushëllime për humbjen e Haxhosajt kanë shprehur edhe kolegët e shkollës “Hysni Zajmi”, miq dhe krijues nga mbarë trevat shqiptare.
I pranishëm në akademinë përkujtimore ishte edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri. Ky i fundit, edhe përmes një postimi në “Facebook”, shkroi se “Halil Haxhosaj ia kushtoi jetën brezave të rinj dhe përparimit të kulturës shqiptare, ai nuk do të mbahet në mend vetëm nga familjarët e tij, por do të mbahet në mend nga të gjithë ne si krijuesi që ndërtoi mundësinë për leximin e figurave më të ndritshme të kombit shqiptar dhe të bërave të tyre”.
Mehmet Haxhosaj, i biri i profesorit dhe krijuesit Halil Haxhosaj , falënderoi të gjithë ata që kanë ngushëlluar dhe që i po qëndrojnë pranë familjes së tyre në këto ditë të ëvshtira për ta./radiogjakova/