Sigurohet mazuti, Ngrohtorja fillon punen
Gjakovë- Zyra për Informim e Kuvendit Komunal ka njoftuar se është arritur të sigurohet një sasi e mazutit e mjaftushme për të rikthyer të nxehtin nëpër shtëpitë dhe banesat e atyre që janë të lidhur me Ngrohtoren e qytetit.
“Pas angazhimit të kryetares së komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, është siguruar një sasi e konsiderueshme e mazutit për ngrohjen e qytetit. Funksionimi i ngrohjes fillon sonte (e martë) në orën 20:00 dhe banorët e komunës së Gjakovës, shfrytëzues të ngrohjes, do kenë mundësinë të festojnë Krishtlindjen dhe Vitin e Ri në një ambient të ngrohtë”, u shpreh Ali Tafarshiku, zyrtar për informim.
Gjithashtu, ai ka njoftuar se Kusari-Lila po bën përpjekje maksimale që të sigurojë një tjetër sasi të mazutit për të tejkaluar krizen e Ngrohtores dhe mjete për të paguar punëtorët e këtij institucioni të cilët nuk kanë marrë paga tash e 5 muaj./radiogjakova/