.
Published On: Wed, Feb 7th, 2018

Stadiumi me bar sintetik do të ndërtohet në Shkugëz, opozita: Po ndërhyhet në planin rregullativ

Share This
Tags

Të martën në mëngjes u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme e Asamblesë komunale. Kuvendarët gjakovarë kanë pasur vetëm një pikë të rendit të ditës, shqyrtimin e propozim vendimit të kryetarit të komunës për ndarjen e parcelës për ndërtimin e stadiumit ndihmës të futbollit me bar sintetik.

Këtë propozim e ka prezantuar kryetari i komunës, Ardian Gjini, i cili ka thënë se stadiumi në fjalë parashihet të ndërtohet në vendpiknikun e preferuar të gjakovarëve, Shkugës, në afërsi të vendit ku kanë filluar të ndërtohen terrenet e tenisit.

Mirëpo një propozim i tillë nuk është pritur mirë nga këshilltarët e opozitës, nga radhët e Alternatives dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Asambleistët Jeton Vorfi dhe Bekim Ermeni kanë kërkuar të respektohen procedurat ligjore, meqë lidhur me këtë pjesë të komunës së Gjakovës, Asambleja komunale me datë 29 prill të vitit 2014 ka miratuar planin rregullativ për peizazhin Shkugëza. Sipas tyre, nuk duhet që në asamblenë komunale të instalohet ndërhyrja në planet rregullative të komunës.

Mirëpo, ndryshe ka menduar kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili ka thënë se komuna brenda dy ditëve do të përgatisë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Propozimi i kryetarit Gjini është mirëpritur dhe përkrahur nga pjesëtarët e pozitës.

Në fund, anëtarët e Asamblesë në mbledhjen e jashtëzakonshme, me 22 vota “pro” dhe pjesën tjetër abstenim, kanë aprovuar propozim vendimin e kryetarit të komunës për ndarjen e parcelës prej 2 hektarëve për ndërtimin e stadiumit ndihmës të futbollit me bar sintetik në Shkugëz./radiogjakova/