Të hënën betohen 35 asambleistët dhe kryetarja
Gjakovë- Të hënën është paralajmëruar mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Gjakovës ku do të betohen 35 asambleistët e rinj dhe kryetarja Mimoza Kusari-Lila.
Në këtë mbledhje që është paraparë të nisë nga ora 10:00, në 15 minutat e para pritet të arrijnë anëtarët dhe të nënshkruajnë bashkë me pjesëmarrësit tjerë.
Prej orës 10:15 deri më 10:30 fjala do jetë për anëtarin më të vetër të Asamblesë komunale e që është Mahmut Lila i AKR-së. Ky i fundit do të udhëheqë edhe mbledhjen në vazhdim ku menjëherë do të betohen 35 asambleistët e rinj dhe kryetarja e komunës.
“Betohem (ose deklaroj solemnisht) që do t’i kryej detyrat e mia dhe do t’i ushtroj kompetencat e mia si kryetare e komunës së Gjakovës me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin, në mënyrë që t’i sigurojë kushtet për një jetë të qetë për të gjithë”, ky është teksti në te cilin do betohet Kusari-Lila.
Pas kësaj ajo do mbajë një fjalë përshendetëse për herë të parë para asambleistëve dhe zyrtarisht si kryetare e komunës. Seanca është paraparë të përfundojë rreth orës 11:15.
Ndërsa prej orës 13:00 Kusari-Lila do jetë mysafire në studion e Radio Gjakovës ku ndër të tjera do ju drejtohet qytetarëve të komunës së Gjakovës përmes valëve 100MHz dhe www.radiogjakova.info./radiogjakova/